
Ministrat e Jashtëm të Greqisë, Bullgarisë dhe Sllovenisë përmes një deklarate të përbashkët, u shprehën të shqetësuar për situatën politike pas-zgjedhore në Shqipëri.
Ata janë të mendimit se rivendosja e dialogut politik është një nevojë urgjente mes qeverisë dhe opozitës, duke e quajtur të domosdoshëm për funksionimin normal të çdo shoqërie demokratike.
“Ne vazhdojmë të vëzhgojmë me shqetësim të madh ngjarjet në zhvillim, pas zgjedhjeve të 8 Majit në Shqipëri. Këto zgjedhje janë konsideruar si një dëshmi e aftësisë së Shqipërisë për të mbështetur standardet e larta demokratike, që janë pjesë e patjetërsueshme e prespektivës së saj europiane”.
Tre diplomatët i referohen rezultatit të ngushtë në Tiranë dhe bëjnë thirrje që të gjitha palët të tejkalojnë ndasitë dhe të nisin dialogun.
“Rezultati i ngushtë në Tiranë, mjedisi i polarizuar dhe mungesa e besimit mes qeverisë dhe partive të opozitës do të thotë se të gjithë palët duhet të bëjnë të njëjtat përpjekje për të tejkaluar urgjentish ndasitë në shpirtin e dialogut dhe marrëveshjes”.
Ata kërkojnë publikimin e shpejtë të rezultatit.
“Përparësia kryesore duhet të jetë, të mbrohet ligjshmëria dhe besueshmëria e proçesit të numërimit të votes. Autoritetet të garantojnë së rezultatet zyrtare do të publikohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe pretendimet kundërshtare të adresohen në përputhje të plotë me shpirtin e ligjit dhe standardeve ndërkombëtare”.
Shefat e diplomacisë së Greqisë, Bullgarisë dhe Sllovenisë u bëjnë thirrje udhëheqësve të tregojnë vetëpërmbajtje.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politike të tregojnë vetëpërmbajtje në deklaratat dhe veprimet e tyre. Duke shmangur dhunën dhe duke i kontribuar normalizimit të situatës me përgjegjësinë më të madhe”.
Ata e mbyllin deklaratën duke thënë se: “Një Shqipëri e qendrueshme dhe demokratike është një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe zhvillimi për Ballkanin Perëndimor”.
Top Channel