Berisha: Fletët e kontestuara, të vlefshme

19/05/2011 19:00

Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar procesin zgjedhor të 8 majit si më dinjitozin në historinë e Shqipërisë.

Duke folur në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë është shprehur se votat e gabuara kanë ardhur si pasojë e problemeve, që sipas tij të moshuarit kanë me ngjyrat dhe emocioneve që kanë të rinjtë.

Berisha ka nënvizuar se përplasjet për Tiranën kanë lindur pas deklaratave sipas tij absurde të kryetarit të PS, që shpalli fitoren e tij pa u publikuar rezultati.

“Në rast se votat, numërimi dhe procesi në të gjithë vendin nuk shënoi as konfliktualitetin më të vogël, në Tiranë ndodh e kundërta. Më datë 14 maj, të 11 minibashkitë e Tiranës përfunduan numërimin e votave dhe dhanë një rezultat, i cili në momentin më të fundit nxorri kandidatin e PS dhe kryetarin e saj me 10 vota para. Kjo ndodhi dhe fitorja pas 10 minutash u rikthye dhe numërimi i shifrave nga KQZ është i bazuar, jo i manipuluar. Nuk ka asnjë provë që aty është bërë një manipulim”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, ndonëse ligji shqiptar për zgjedhjet nuk autorizon KQZ-në të shpallë rezultatin zyrtar, teknologjia e numërimit e jep këtë automatikisht me numërimin dhe mbylljen e tij.

“Ky rezultat nuk është vënë në diskutim asnjëherë të vetme nga askush. Ky rezultat është shpallur nga kryetari i KQZ në daljen e tij televizive si rezultat paraprak, por jo zyrtar, pasi ligji nuk ia jep këtë autoritet. Rezultati zyrtar shpallet pas shqyrtimit të ankesave. Këtë ligj e kanë miratuar PD dhe PS”, ka pohuar Berisha.

Kryeministri ka nënvizuar se ndryshe nga kadidati socialist, që vetëshpalli fitoren pa cituar rezultatin, ai demokrat u shpreh se do të priste përfundimin e plotë të procesit.

Madje, Berisha ka theksuar se, nëse nga këto rinumërime Rama do të dalë sërish fitues, Partia Demokratike do ta urojë atë. Lideri i mazhorancës ka shtuar më tej se, votat e kontestuara janë plotësisht të rregullta pasi nuk kanë asnjë element që t’i nxjerrë të pavlefshme, dhe për rrjedhojë duhen numëruar të gjitha.

“Kishte në kutitë e votimit 300 vota të kontestuara dhe fatkeqësisht, të interpretuara si në rastet kur KZAZ-të kryesoheshin nga socialistët edhe kur kryesoheshin nga demokratët. Kjo votë, të cilën ligji e përjashton nga votat e pavlefshme, nuk mund të paraqitet si e tillë. Kjo votë meriton administrim dhe vlerësim të plotë”, ka theksuar Berisha. Ai ka shtuar më tej se mazhoranca do të pranojë cdo rezultat që do të dalë nga numërimi i votave të kontestuara.

Top Channel