Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama zgjodhi 1 Majin, ditën ndërkombëtare të punëtorëve për të shpalosur projektin ekonomik të Bashkisë së Tiranës. (UPDATE)
Në këtë projekt i kushtohet një vend i vecantë politikave për të luftuar papunësinë, politika këto, që sic tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i mungojnë qeverisjes qendrore që ka lënë 1 milion të papunë në të gjithë vendin.
“Mungojnë politikat për të luftuar papunësinë, ashtu sikundër luftohet në të vërtetë”, deklaroi Rama.
Rama kritikoi edhe premtimet për uljen e kontributëve, premtime të cilat sic tha ai bëhen me qëllim e vetëm për t’u marrë qytetarëve votën.
“Politikanët tradicionalë bëjnë premtime të papërmbajtshme për të ulur e ulur kontributet. Sot të gjithë njerëzit e zakonshëm, ata që jetojnë me një rrogë, mësues, infermierë, policë e nënpunës në të gjithë sektorët shtetërorë paguajnë shumë më tepër taksa se sa paguanin 6 vjet më parë kur Saliu u premtoi horizontin e parajsës ekonomike e sot po i con përditë e më shpejt drejt një ferri ekonomik, dhe jo vetëm paguajnë shumë më tepër detyrime në formë kontributesh financiare për shtetin, por blejnë shumë me pak se sa 6 vite më parë”, tha Rama.
Pasi denoncoi, sipas tij, masakrën që po u bëhet monumenteve kulturore e historike në të gjithë vendin, Rama u ndal tek taksat e bashkisë. Sipas tij, barra e taksave ndaj biznesit është rënduar nga qeveria e cila mundohet t’ia faturojë bashkisë këtë rritje.
“Biznesi i ka paguar Bashkisë së Tiranës tre taksa, sot i paguan 2. Në këto 6 vite biznesit i është rritur barra sepse i janë shtuar taksat që i ka rritur saliu, që paturpësisht duke përfiton nga kanalet e informimit të njerëzve, me cinizëm e përcmim ndaj njerëzve. Një biznes i paguan katër herë më shumë se sa i paguan bashkisë i paguan qeverisë. Në momentin e parë që do të jemi në qeveri, gjithcka që Saliu i ka shtuar biznesit do t’i heqim. Pasi blenë kasën fiskale tani shtohet një tullë në ndërtesën fiskale të Saliut. Është taksa për mirëmbajtjen e kasës. Fatura e mirëmbajtjes së kasës do të mbërrijë pas zgjedhjeve dhe në një vit është 25 përqind më shumë për të mirëmbajtur kasën se sa për të pastruar Tiranën”, tha Rama.
Më tej kryebashkiaku Rama se Bashkia e Tiranës nuk është vetëm kryetari, por një institucion, një program që ofron shërbimet më të mira për qytetarin.
“Sot kemi një program zhvillimi më shumë të bazuar në një plan strategjik me komponentët e veta, urban, social dhe ekonomik. 7 projekte të mëdha të Tiranës europiane dhe me vazhdimin e punës së nisur krijojmë mundësi për 200 mijë vende pune. E dimë ekzaktësisht se ku janë këto 200 mijë vende pune dhe si mund të realizohen ato. Duke larguar Saliun, Shqipëria do të kthehet në punë dhe do përgjysmojmë shifrën për 1 milion të papunësh në harkun e një mandati e gjysmë qeveri”, deklaroi Rama.
Në fund të fjalës së tij, kryebashkiaku Rama ftoi qytetarët që të votojnë, sipas tij, për vijimin e ndryshimit të Tiranës.
Top Channel