Shkëmbimet tregtare me Serbinë pritet të rriten akoma e më shumë, kurse me Kosovën mund edhe të përkeqësohen.
Me stadin aktual të tarifave doganore, Shqipëria ka kryer volume të mëdha tregtie me shtetin e Beogradit, ndërsa me vendin më të afërt, Kosovën, niveli nuk paraqitet aty ku duhej, por me ndryshimin e fundit të taksave raporti me këto vende do të thellohet.
Një tjetër marrëveshje e tregtisë së lirë me vendet e rajonit, në kuadër të CEFTA-s pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë. Gazeta “Shqip” ka mësuar strukturën e re të tarifave doganore me vendet e CEFTA-s, ku futen Mali i Zi, Kroacia, Moldavia, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria. Mes këtyre vendeve do të shkëmbehen mallra pa paguar tarifë doganore, mbi bazë të kuotave (në ton), që shkojnë deri në 15 për qind.
Mes këtyre vendeve duhet të kishte përfituar edhe Kosova, por për shkak statusit të njohjes ndërkombëtare, nuk ka pranuar të nënshkruajë protokollin shtesë të marrëveshjes. Pakti mes 6 shteteve të CEFTA-s është firmosur më 12 nëntor 2010, në Beograd të Serbisë, ku ashtu si Kosova, edhe Bosnjë-Hercegovina nuk ka pranuar të firmosë marrëveshjen, madje nuk kishte negociuar me asnjë nga shtetet, kurse qeveria e Prishtinës kishte nisur bisedimet prej kohësh me Kroacinë dhe Maqedoninë, por në fund u tërhoq.
Sipas Ministrisë së Jashtme, marrëveshja e re për tregtinë e lirë mes vendeve erdhi pas përfundimit të periudhës tranzitore të reduktimit të tarifave doganore për produktet industriale. Për këto mallra tarifat aktualisht janë zero dhe tani radha i vjen reduktimit dhe heqjes së taksave për produktet bujqësore dhe blegtorale, apo të vezës, verës dhe peshkut.
“Referuar shkallës së përfitimit nga tarifat preferenciale për shkak të origjinës të produkteve bujqësore të importuara (rreth 35-40 për qind) dhe tarifës doganore mesatare prej 2.4 për qind, që rezulton në këtë periudhë, efekti minus në buxhetin e shtetit nga reduktimi i taksave nuk shkon më shumë se 60 milionë lekë”, pohon Ministria e Ekonomisë, ndërsa ajo e Financave shprehet se me rritjen e shkëmbimeve tregtare, do të ketë zhvillim pozitiv në arkëtimet e taksës së TVSH-së.
Ndryshimet e fundit fiskale nuk shikohen me sy pozitiv nga ana e eksportuesve shqiptarë. Sipas tyre, ulja e taksave doganore për mallrat e importit do ta dëmtojë prodhimin vendas, pasi lënda e parë po blihet me taksë doganore 10 për qind, kurse nga Kroacia apo Serbia do të futen direkt në treg produkte finale pa taksa doganore.
Të ndihmuar edhe nga rrjetet e shitjes me pakicë, importet nga këto vende (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë) u rritën 50 për qind. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) vlera e importit arriti gati 49 miliardë lekë, duke shënuar nivelet më të larta.
Po sipas INSTAT-it, për vitin 2010, importet nga Serbia janë 17.5 miliardë lekë, rreth 65 për qind më shumë se në vitin 2007, duke zënë vendin e parë, ndërsa nga Kosova kanë hyrë mallra me vlerë rreth 3.7 miliardë lekë.
Top Channel