Ukrainë, përkujtohen viktimat e Cernobilit

26/04/2011 08:00

Ukraina nisi mbrëmjen e djeshme përkujtimin e 25-vjetorit të aksidentit më të rëndë bërthamor në botë, atë të centralit të Cernobilit.

Një shpërthim tek një nga reaktorët e impiantit dërgoi një re radioaktiviteti nëpër Evropë dhe vrau fillimisht të paktën 30 persona.

Një numër ende i pacaktuar personash humbën jetën më vonë si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga radioaktiviteti.

Përvjetori vjen në një moment kur protestat globale kundër energjisë bërthamore janë ringjallur, pas katastrofës së ndodhur në impiantin e Fukushimës, në Japoni.

Ishte më 26 prill të vitit 1986 kur reaktori numër katër i Cernobilit, në atë kohë nën regjimin sovietik, shpërtheu.

Ngjarja coi në evakuimin e qindra mijëra personave nga shtëpitë e tyre në Ukrainë, perëndim të Rusisë dhe Bjellorusi.

Ndërkohë, ende sot vazhdon të jetë një zonë prej 30 kilometrash përreth centralit famëkeq që ndalon hyrjen e qytetarëve.

Top Channel