Britani, MI6 rekrutoi vrasësin e Al Kaedës

26/04/2011 13:00

Një militant i Al Kaedës, i dyshuar për atentate me bombë ndaj një
hoteli luksoz dhe dy kishave në vitin 2002 në Pakistan, ka qenë
informator i shërbimit sekret anglez MI6.

Adil Hadi al Jazairi Bin Hamlili është mbajtur i burgosur në Guantanamo nga viti 2003 deri në vitin e kaluar, kur u dërgua në atdheun e tij, Algjeri, nga presidenti amerikan Barack Obama.

Gazeta britanike “The Guardian” pretendon se ka parë dokumenta sekrete të Wikileaks në të cilat militanti konsiderohet si një vrasës profesionist i Al Kaedës.

Por agjentët amerikanë që e kanë marrë në pyetje dyshojnë se ai ka qenë gjithashtu një informator për shërbimet sekrete britanike.

Zbulimet vijnë ndërkohë që e përditshmja tjetër “Daily Telegraph” ka publikuar dosje sekrete që sugjerojnë se Londra ka qenë qendra e rrjetit të terrorizmit ndërkombëtar.

Dosjet sekrete dyshohet se vijnë nga Wikileaks dhe tregojnë se xhamia në Parkun Finsbëri, në veri të Londrës, ishte një parajsë e ekstremistëve.

Top Channel