BE, protesta kundër centraleve atomike

25/04/2011 19:55

Mijëra persona në Francë dhe Gjermani kanë zhvilluar protesta duke bërë thirrje për mbylljen përfundimtare të centraleve bërthamore.

Marshime u mbajtën në urat e disa lumenjve që lidhin Francën me Gjermaninë, mbi Rehn, si dhe përpara centraleve atomike gjermane.

Protestuesit e organizuan manifestimin e tyre me rastin e 25-vjetorit të katastrofës bërthamore të Cernobilit, në Ukrainë.

Aktualisht është Japonia që po lufton për të bllokuar rrjedhjen radioaktive pas tërmetit dhe tsunamit të 11 marsit, që dëmtuan impiantin e Fukushimës.

Një nga tubimet kryesore u mbajt në Urën e Evropës, që lidh Francën dhe Gjermaninë, mbi Rehn, mes Strazburgut dhe Kehlit.

Manifestuesit mbanin dhe brohorisnin parulla të tipit: “Kurrë më Cernobil dhe Fukushima”. Ata hodhën lule në Rehn dhe u shtrinë mbi urën e shtruar, duke inskenuar një vdekje simbolike.

Top Channel