Jemen, tërhiqet Saleh

24/04/2011 16:05

Zyrtarët jemenas njoftuan se presidenti Ali Abdullah Saleh, kundër të cilit kanë shpërthyer protesta popullore masive në të gjithë vendin, ka rënë dakort të tërhiqet nga pushteti.

Një zyrtar, që preferoi të mbetet anonim për mediat, tha për CNN se Saleh dhe opozita jemenase, që kërkon largimin e tij, kanë rënë dakort sipas një marrëveshje të hartuar nga gjashtë vendet e Gjirit Persik. Në marrëveshje parashikohet tërheqja e tij nga pushteti brenda 30 ditëve dhe garantimi i imunitetit nga hetimet e mëvonshme për të dhe të gjithë zyrtarët e lartë që shërbyen gjatë regjimit të tij.

Marrëveshja parashikon gjithashtu formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar brenda 7 ditëve nga nënshkrimi i saj.

Në fillim të muajit, Saleh i propozoi opozitës vendase reforma kushtetuese për demokratizimin e vendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në fund të këtij viti, kur premtoi se nuk do të rikandidonte. Por kjo ofertë e Saleh u hodh poshtë nga opozita që kërkonte largimin e menjëherëshëm të tij nga pushteti.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse vija e mesme e propozuar nga vendet e Gjirit Persik, të cilat në javët e fundit, nëpërmjet ministrave të jashtëm janë angazhuar tejmase për arritjen e një marrëveshje mes opozitës dhe presidentit Saleh për të shmangur tensionimin e mëtejshëm të situatës në Jemen, do të bëhet zyrtare.

Top Channel