“Konvaleshenca” e breshkave detare

22/04/2011 19:20

Në Shqipërinë e dekadave të fundit kërkimet shkencore po ecin me shpejtësinë e breshkës dhe akoma më të ngadalta janë zbulimet e reja.

Sigurisht që nuk pritet shumë nga teknologjia ndërsa sa për ambjentin e vetmja gjë që po zbulojmë janë pasojat e ndotjes dhe shpyllëzimit.

Por, dikush që nuk pranon të dorëzohet është profesori dhe biologu Idriz Haxhiu. Ai ka zbuluar se prej vitesh, në Patok janë afruar disa nga breshkat më të rralla në botë dhe sot, edhe tre individë të tjerë kanë rënë në rrjetën e peshkatarëve

“Këto tre gjallesa janë globalisht të rrezikuara dhe ne duhet t’i mbrojmë siç i mbron gjithë bota”, shprehet Idriz Haxhiu për emisionin Pasdite, në Top Channel.

Zona e Patokut është kthyer në destinacionin turistik për breshkat gjigande të detit. Vetëm ekzemplarët e kapur sot janë mbi 60-vjeçarë dhe shumë të rrallë. Pas matjeve dhe markimit, profesor Haxhiu, i ndihmuar nga studentët e tij, do t’i rikthejë ato menjëherë në ujë.

“Ardhja e këtyre breshkave në këtë zonë tregon që kjo është një nga zonat më të nxehta të Mesdheut. Këtu ka ndodhur diçka, janë prishur ekuilibrat natyrorë për shkak të ndikimit njerëzor”, sqaron profesor Haxhiu.

Prej dhjetë vitesh peshkatarët e kësaj zone kanë ndihmuar biologun në kërkimet e tij mbi këto breshka, por këta vendas nuk janë të vetmit që e kanë ndihmuar dhe i kanë qëndruar pranë. Komuniteti ndërkombëtar shkencor ka mësuar përmendësh emrin e Patokut.

Tre breshkat që e kanë futur Shqipërinë në hartën e vendeve interesante për kërkuesit janë pagëzuar nga vetë profesor Haxhiu, i cili informohet çdo ditë për vendndodhjenn e tyre nëpërmjet pajisjeve satelitore.

“Shpresa, Guximtari dhe Patoku janë emrat që i vura breshkave për nder të këtij vendi dhe njerëzve të tij”, thotë profesori.

Këto kafshë ekzotike mbase nuk janë shumë joshëse për kuriozitetin e shumë prej nesh, por këto tre breshka kanë bërë të mundur që pas shumë kohësh fokusi i shkencëtarëve, kolegë me profesor Haxhiun, të rikthehet nga Shqipëria: “Sigurisht që shkencëtarët janë informuar për studimet që kemi bërë dhe falë pjesëmarrjes sonë në shumë simpoziume botërore.”

Zona është një perlë, por edhe perlat e humbin shkëlqimin nëse u hedh baltë përsipër. Fatkeqësisht ajo që i ka sjellë këto breshka këtu është një pasojë indirekte e ndotjes.

Edhe pse në moshë të madhe, profesor Haxhiu do të vazhdojë i vetëm të kujdeset, të regjistrojë, klasifikojë dhe kategorizojë breshkat e rralla detare që vijnë në Patok.

E vetmja gjë që mund të bëjmë ne për ta ndihmuar është të paktën të mendohemi para se të hedhim gjithëfarëlloj mbeturinash nga dritarja.

Top Channel