PS: Bizneset e Bashës, 3 taksa

20/04/2011 20:10

Taksat janë shndërruar në argument të fushatës në Tiranë. Sa janë ato dhe si përdoren?

Në celjen e kësaj fushate, kandidati demokrat Lulzim Basha u shpreh se nëse fiton, do të heqë rreth 60 taksa dhe tarifa vendore dhe do të ulë 2 deri në 5 herë taksat dhe tarifat që mbesin.

Pas deklaratës për taksat që paguajnë qytetarët, deputeti Erion Brace me fatura në dorë ka ilustruar nivelin sipas të tij të ulët të taksave vendore për bizneset në Tiranë.

“Kjo që shihni është një faturë arkëtimi e taksave të llogaritura si detyrim fiskal për kompaninë “Tirana Publishing House”, nën administrimin e shtetasit Erjon Isufi. Për vitin 2010, janë vetëm 3 taksa, me vlerë 32.120 lekë ose 2.676 lekë në muaj. Po kaq edhe për kompaninë “Premium Print”, që ka të njëjtin pronar, të njëjtën adresë, të njëjtin objekt dhe të njëjtin detyrim fiskal”, ka deklaruar Brace.

Ky ishte vetëm një nga shembujt që deputeti Erjon Brace bëri publik, duke nxjerrë edhe një faturë tjetër të biznesmenit Damir Fazllic, të cilin opozita e cilëson si të lidhur me kryeministrin dhe që paguan sërish një mesatare prej 3 mijë lekësh taksa bashkisë në muaj.

Ndërkohë, mazhoranca e ka akuzuar bashkinë për shpërdorim të taksës së gjelbërimit.

“Hapësirat e gjelbra janë reduktuar, ndërkohë që taksa e gjelbërimit vetëm në dy vitet e fundit është rritur me 250-300%. Të ardhurat e bashkise nga taksa e gjelbërimit në 4 vitet e fundit shkojnë në rreth 17 milionë dollarë, nga këto 6.4 millionë dollarë vetëm në 2010. Ku janë përdorur 17 milionë dollarët? Sigurisht jo në gjelbërim, por patjetër që janë përdorur në mitingje elektorale”, ka deklaruar Taulant Bino, zv/ministër i Mjedisit.

Një ditë më parë ish-zv/ministri i Financave, deputeti demokrat Florion Mima e akuzoi bashkinë për vjelje të paligjshme të disa taksave.

Top Channel