Franca dhe Italia, oficerë në Libi

20/04/2011 16:25

Franca dhe Italia kanë deklaruar se do të dërgojnë grupe të vogla oficerësh ushtarakë për të këshilluar rebelët libianë, që po përpiqen të rrëzojnë kolonelin Muammar Gaddafi.

Autoritetet franceze kanë deklaruar se do të dërgojnë më pak se 10 grupe, ndërsa ato italiane kanë vlerësuar se 10 është numri i duhur.

Ndërkohë, Britania e Madhe deklaroi të mërkurën se do të dërgojë një grup të tillë në qytetin e Bengazit.

Ndërsa OKB tha se përdorimi nga regjimi i Gaddafi-t i bombave të përbëra mund të vlerësohet si krim ndërkombëtar.

“Një bombë “cluster” shpërtheu vetëm 100 metra larg hotelit të Misratës, ndërkohë që dy klinika janë qëlluar me mortaja ose snajpera”, ka deklaruar komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay.

Sipas Pillay, ka edhe të dhëna që flasin për snajpera që qëllojnë lirshëm ndaj civilëve në Misrata dhe qytete të tjera.

Top Channel