KE: Franca ka të drejtë të ndalojë emigrantët

18/04/2011 18:00

Franca veproi brenda kompetencave të saj kur vendosi që të ndalonte trenat me emigrantë afrikanoveriorë që po hynin në vend nga Italia, deklaroi Komisioni Europian.

Komisionerja e Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstroem, deklaroi se zyrtarët francezë cituan si shkak për kthimin mprasht të trenave “arsye të rendit publik”.

Një zëdhënës i BE-së deklaroi se në bazë të marrëveshjes Schengen për lëvizjen e lirë të njerëzve, Parisi zyrtar nuk është i detyruar të pranojë lejet e përkohshme të qarkullimit të dhënë nga pala italiane.

Italia është ankuar ndaj këtij vendimi, duke thënë se ai dhunon rregullat bazë të BE-së, siç është e drejta e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.

Zona Schengen është një zonë e lirë prej 25 vendesh, ku qytetarët e secilit vend nuk kanë nevojë të paraqesin asnjë dokument gjatë kalimit të kufirit në një shtet tjetër.

Top Channel