Top Story, analizohet fushata

14/04/2011 22:50

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, Skënder Minxhozi analizoi fushatën, sipas tij në distancë mes dy lidërve të mazhorancës, Berisha e Meta.

Sipas zotit Minxhozi mënyra si po zhvillohet dhe karrierat që luhen në to, këto zgjedhje nuk janë thjesht lokale.

“Fushata zhvillohet në distancë mes Berishës dhe Metës. Ose Berisha i trembet Metës nga ajo që ai përfaqëson në këtë moment, ose mund të jetë edhe ndarje rolesh, me kryeministrin që sillet butë dhe Metën që sillet ashpër për t’i zënë duart PS-së. Kjo fushatë nuk është lokale në kuptimin e karrierave që luhen në këto zgjedhje. Berisha do riskonte daljen para ndërkombëtarëve për zgjedhje të parakohëshme. Nëse Rama humb Bashkinë e Tiranës do të kompromentonte ecurinë e tij në PS, do hapte debat të madh brenda PS. Meta luan betejën finale, qendrimin ose jo në qeveri dhe ruajtjen e elektoratit. Mendoj që Meta është më i ekspozuar në këtë fushatë”, tha zoti Minxhozi.

Ndërkohë, për deputetin e Partisë Demokratike, Mark Marku, s’ka kuptim që të dy liderët të dalin bashkë në fushatë, pasi secila parti ka elektoratin e saj.

“Mendoj që është më normale të shpërndahen mesazhet. Është një ndarje rolesh, s’ka kuptim që të dy kryetarët e partive të bëjnë fushatë bashkë, partitë në fund të fundit bëjnë fushatën e tyre”, tha Marku.

Ndërkohë, analisti tjetër, Artan Hoxha u përqendrua tek beteja për Tiranën. Zoti Hoxha tha se në kryeqytet mazhoranca luan, sic tha ai, me tre lojtarë të fuqishëm, ndërsa opozita vetëm me një lojtar.

“Mazhoranca luan me tre lojtarë në Tiranë, Berisha, Meta dhe Basha. Opozita luan vetëm me një lojtar, Edi Rama. Kemi një ekip me tre lojtarë të rëndë të fuqishëm që po ndajnë shumë mirë rolet e tyre, në krahun tjetër kemi një ekip me vetëm një lojtar. Në këtë fushatë po vë re se aleanca PD-LSI ka ngjizur në nivel baze, sepse LSI ka qenë e goditur në mënyrë të pamëshirshme nga PS. Hipoteza se LSI do të humbasë vota sepse ka bërë aleancë me PD është hipotezë e gabuar, ose shumë e dobët”, tha Hoxha.

Top Channel