Marku: PS ka devijuar temën e fushatës

14/04/2011 21:40

Deputeti demokrat Mark Marku, duke komentuar fushatën elektorale për zgjedhjet vendore, ka deklaruar se PS po e deformon atë duke e kthyer në një fushatë politike.

“PD është përqendruar tek administrimi vendor, ndërsa PS tek lufta politike, në vecanti me kryeministrin Berisha. Nuk po bëhet një debat për alternativat dhe projektet dhe kjo mendoj se do jetë në dëm të jetës së qytetarëve dhe administrimit të pushtetit vendor”, ka deklaruar Marku.

Ai i ka cilësuar si të motivuara politikisht akuzat e PS ndaj kandidatit të PD, Lulzim Basha, duke nënvizuar se është vetë kandidati i PS që ka shkelur paktin e tij me Tiranën.

“Thuhet se PD ka një kandidat që ishte ministër në 21 janar, por kemi edhe një kandidat që drejtoi një turmë njerëzish për të shkatërruar qytetin që ai e ka qeverisur për 9 vjet. Edi Rama ka thyer paktin që ka bërë me qytetarët e Tiranës”, ka pohuar Marku.

“Edi Rama ka ardhur si njeri i kulturës dhe jo si njeri i dhunës. Më 21 janar, ai mblodhi një lum energjie të pakontrolluar dhe e derdhi për ta shkatërruar Tiranën. Ky është kryetari i bashkisë, që sillet si një njeri i superdistancuar nga kjo ngjarje”, ka theksuar Marku.

Më tej ai ka hedhur nota kritike edhe ndaj parrullës së opozitës, “E vetmja rrugë”, duke e cilësuar atë si tërësisht totalitare.

“Slogani “E vetmja rrugë” është totalitar. Në demokraci dhe në një fushatë zgjedhore ka disa alternativa. Jam e vetmja rrugë thotë vetëm Gaddafi për Libinë”, ka shtuar Marku.

Top Channel