Siri, përplasje të reja në Banias

12/04/2011 15:30

Disa dhjetëra njerëz janë plagosur në përballjet me forcat e policisë në qytetin sirian të Banias, vetëm një ditë pas vrasjes së 13 personave në këtë qytet.

Sipas dëshmitarëve të cituar nga mediat ndërkombëtare, në një lagje po dëgjohen të shtëna të vazhdueshme dhe mes kaosit, është e paqartë se çfarë po ndodh atje konkretisht.

Grupimet për të drejtat e njeriut pretendojnë se disa qindra persona janë arrestuar, përfshi një grup studentësh që morrën pjesë në një protestë të rrallë në Universitetin e Damaskut, ditën e hënë.

Mbi 200 persona kanë vdekur në javët e revoltave kundër presidentit Bashar al-Assad, i cili përballet me sfidën më të fortë ndaj pushtetit të tij në 11 vitet që drejton vendin.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të shtypur lëvizjen demokratike, revoltat duket se po shtohen dhe e premtja ishte dita më e përgjakshme që prej fillimit të protestave, pasi 28 persona mbetën të vrarë në manifestimet e mëdha popullore në Damask, Dera, Harasta dhe Douma.

Siria drejtohet prej pothuajse gjysmë shekulli nga një regjim autoritar i vendosur prej “dinastisë” Assad.

Top Channel