Konferenca shkencore e spitalit “Hygeia”

12/04/2011 19:25

Kardiologët dhe kardiokirurgët më të mirë të Shqipërisë dhe Greqisë u takuan ditën e 9 prillit në ambientet e spitalit “Hygeia”, në një konferencë shkencore që kishte në qendër të vëmendjes problemet kryesore të fushës së tyre.

Kamerat e emisionit të pasdites në “Top Channel” përfituan nga konferenca për të pyetur specialistët mbi situatën e këtij shërbimi në vendin tonë.

Kardiokirugu Altin Veshti bëri një përmbledhje të punës në këtë institucion shëndetësor. “Që prej hapjes së funksionimit të spitalit janë bërë rreth 100 ndërhyrje dhe mund të them krenar që ato kanë qenë e një shkalle tepër të lartë vështirësie”, deklaroi Veshti.

”Falë këtyre ndërhyrjeve, mund të krahasohemi me qëndrat më të mira shëndetësore të Bashkimit Europian apo SHBA-së, ndërsa nuk kemi patur asnjë humbje në jetë deri tani në spitalin tonë, ndërsa 95% e operacioneve janë kryer prej stafit shqiptar”.

Në një situatë të tillë, pritshmëritë e spitalit “Hygeia” janë shumë optimiste. “Kemi mundur të kryejmë ndërhyrjet për të gjitha llojet e problemeve të personave të rritur që janë paraqitur tek ne.

Duke nisur që nga më të lehtat dhe deri tek më të vështirat, të gjitha janë realizuar me sukses dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata shqiptarë që kanë qenë të detyruar të kryejnë këto operacione jashtë shtetit në të shkuarën”, shtoi Veshti.

”Janë rritur njerëzit me probleme në zemër, kryesisht për shkak të jetës sendentare që bëjnë shumë më tepër persona se më parë”, deklaroi mjeku kardiolog Andi Kaçani.

”Fatkeqësisht, puna jonë është bërë shumë më intensive, pasi më shumë pacientë kanë nevojë për ndërhyrje apo kurim në zemër”.

Konferenca e mirëpritur në ambientet e spitalit “Hygeia”, siç bëjnë të ditur përfaqësuesit e këtij institucioni shëndetësor, i shërbeu mjekëve shqiptarë për të ndarë përvojën e tyre me kolegët grekë.

”Ne jemi një ekip i përbashkët. Ne shkojmë në Greqi dhe ata vijnë në Shqipëri, duke shkëmbyer vazhdimisht eksperiencë, çka ndihmon shumë në rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore që u ofrojmë pacientëve tanë”, theksoi doktor Kaçani.

Një prej temave kryesore të trajtuara në konferencën shkencore lidhej me trajtimin e infarktit të miokardit. Profesor Dhimas shpjegoi:

”Për një përballim të suksesshëm të këtij infarkti është i domosdoshëm transferimi i menjëhershëm i pacientit në një spital që ka një laborator hemodinamik.

Në vazhdim, bëhet hapja e enëve të mbyllura të gjakut me angioplastikë ose me balonë dhe kështu bëhet trajtimi i të sëmurit.

Kisha kënaqësinë të konstatoja se spitali Hygeia në Tiranë është i pajisur me të gjithë pajisjet më të fundit teknologjike, duke siguruar një trajtim të suksesshëm të infarktit të miokardit”.

Top Channel