Emigracioni, Italia: BE na la vetëm

12/04/2011 14:30

Italia është zhytur thellë në problemin e emigracionit klandestin nga vendet e Afrikës, kryesisht nga Libia, që janë përfshirë nga trazirat.

Ministri i Brendshëm Roberto Maroni ka shprehur edhe njëherë hidhërimin e tij për qendrimin kundër të vendeve të BE ndaj propozimit të Italisë.

Propozimi në fjalë parashikonte dhënien e lejes së përkohshme për emigrantët afrikanë, me qëllim që ata të lëviznin edhe në vende të tjera të zonës Schengen.

“Fenomeni i emigracionit nuk është vetëm emigracion klandestin, por edhe social, gjeopolitik dhe është një revolucion që shumë vende evropiane nuk e kuptojnë”, ka deklaruar Maroni.

Ditën e djeshme ministri i Brendshëm u shpreh edhe më i indinjuar, kur tha se, “në një situatë të tillë, c’kuptim ka të qendrojmë në BE”.

Lidhur me këtë cështje ka reaguar edhe presidentja e Konfindustrias italiane, Emma Marcegaglia, e cila ka theksuar se zgjidhja nuk mund të jetë dalja nga BE.

Megjithatë, edhe ajo shprehet kritike ndaj refuzimit që BE i bëri qarkullimit të lirë të emigrantëve në zonën Schengen.

“Mendoj se kjo nuk është e drejtë. Duhet një vullnet evropian për t’u përballur me këtë problem, Italia nuk duhet lënë vetëm”, ka deklaruar Marcegaglia.

Ndërsa për ministrin e Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, Italia po shkel shpirtin e marrëveshjes Schengen duke bërë një propozim të tillë.

“Italia nuk mund të ndryshojë drejtimin e njerëzve në arrati nga kushtet ekonomike në vendin e tyre, vetëm duke u dhënë viza turistike”, ka deklaruar Herrmann.

“Italia duhet t’i kthejë tunizianët në shtëpi”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se Bavaria do të intensifikojë kontrollet në kufijtë e saj.

 

Top Channel