Part-time, këtë vit tarifa më e shtrenjtë

11/04/2011 11:50

Këtë vit universitetet nuk duan të vonohen për sa i takon vendosjes së kritereve e propozimeve për studentët e rinj.

Sipas “Shqip”, jo vetëm për sistemin e ditës, por edhe për korrespondencën, e njohur si sistemi me kohë të pjesshme, po diskutohen mundësi të reja, si dhe kritere më të rrepta për vitin akademik 2010-2011.

Pas deklarimit se këtë vit do të ketë kushte më të rrepta për të gjithë ata që do të konkurrojnë në sistemin part-time, një tjetër lajm vjen nga universitetet. Sipas të dhënave paraprake, janë dy çështjet që do të diskutohen me prioritet. E para, kriteri me të cilën do të pranohen studentët në part-time dhe e dyta, çmimi, tarifa shkollore që ata do të paguajnë. Këtë vit ka të dhëna se studimet me korrespondencë do të kushtojnë më shumë se një vit më parë. Do të jetë edhe më e shtrenjtë për ata që do ta kenë këtë sistem si zgjedhje të një fakulteti të dytë.

Për më shumë, universitetet do të dërgojnë në një draft, ashtu si çdo vit në Ministrinë e Arsimit kuotat zyrtare dhe përfundimtare, me tarifat e shkollimit për çdo degë, si dhe kriteret se si do të bëhet përzgjedhja. Çdo vit, të drejtën për vendosjen e kushteve e kanë pasur fakultetet dhe kryesisht ka qenë mesatarja e shkollës së mesme. Ndërkohë që këtë vit është përfolur që një nga kriteret kryesore do të jetë dhënia e detyrueshme e provimeve të Maturës Shtetërore, duke stimuluar në këtë mënyrë të gjithë maturantët që kanë qenë pjesë e sistemit të Maturës Shtetërore.

Kundërshtimi

Pritet që bashkë me kuotat dhe tarifat e reja, çështje e diskutimit të jetë edhe kriteri i Maturës Shtetërore. Kjo sipas universiteteve, duhet të rishikohet dhe të unifikohet, pasi mund të sjellë rrjedhje të studentëve nga një sistem në tjetrin.

Por jo vetëm kaq, një tjetër problematikë që do të sjellë kundërshti të kësaj nisme të re do të jetë lidhur me moshën e aplikueshme në sistemin part-time.

Sipas të dhënave, me korrespondencë nuk janë të interesuar të studiojnë vetëm maturantët që mbeten pa shkollë, por edhe ata që nuk kanë pasur mundësi të shkollohen, që kanë humbur të drejtën e studimit për arsye të ndryshme.

Të gjithë ata që janë në moshë madhore, do të jenë të detyruar t’u nënshtrohen edhe një herë provimeve e kjo pritet të ketë reagime të shumta jo vetëm nga universitetet, por edhe nga ata që e quajnë përsëritje të gjimnazit ridhënien e provimeve të detyruara të asaj që sot njihet si Matura Shtetërore.

Top Channel