
Edhe pse ndodhemi në muajin prill, ende nuk është miratuar lista e re e barnave.
Sipas gazetës “Shqip”, autoritetet shëndetësore propozojnë uljen e marzheve të fitimit për importuesit e barnave, ndërkohë që Ministria e Financave nuk pranon miratimin e fondit shtesë prej 1 miliard lekësh për listën nga ku përfitojnë të sëmurët e pensionistët.
Në një situatë të tillë ngërçi rrezikohet që të bllokohet tregu i barnave, rrezikohet të shtyhet më tej miratimi i listës së re të barnave me rimbursim, si dhe ndodhemi në prag të konfliktit mes distributorëve të barnave dhe autoriteteve shëndetësore dhe e gjithë kjo bie mbi kurrizin e pacientëve dhe qytetarëve.
Grosistët paralajmërojnë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor se, ndodhen në vështirësi për shkak të kritereve të vendosura prej tyre dhe se me marzhet e tregtimit të barnave që kanë përcaktuar paraprakisht autoritetet rrezikohet bllokimi i biznesit të barnave. Madje, në një kohë shtrëngimi dhe vështirësie mund të rrezikohet edhe rritja e çmimit të medikamenteve për qytetarët e të sëmurët.
Nga ana tjetër, secili prej nesh bashkë me kombinimin medikamentoz të ilaçit që blen, paguan Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, koston e pullës së sigurisë, luhatjet e monedhës vendase në tregun e këmbimit të valutës.
Një javë pas kundërshtimit që i bënë farmacistët vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për uljen e marzheve të tregtimit të barnave, kanë reaguar dhe distributorët farmaceutikë.
Në një letër drejtuar ministrit Petrit Vasili dhe drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, shoqata e distributorëve farmaceutikë të Shqipërisë ka kërkuar që të mos ndryshojnë marzhet e tregtimit për barnat e rimbursueshme që do të jenë në listën e re për vitin 2011.
Në letër grosistët kërkojnë që në rast se ky ndryshim është i panegociueshëm, të paktën të ndryshohet marzhi i tregtimit vetëm për alternativën e parë të listës së rimbursimit, kurse për alternativat e tjera të listës, më të shtrenjta se alternativa e parë, të përcaktohet marzhi i tregtimit 18 për qind, aq sa janë të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave për barnat që shiten pa rimbursim. Sipas tyre, kjo do të kompensonte sado pak humbjen që i shkaktohet importuesve nga ulja e marzhit të alternativës së parë për të mos çuar këtë biznes drejt falimentit.
Grosistët kanë kundërshtuar edhe marzhin e tregtimit për barnat e rimbursueshme të cilat janë të kontraktuara me QSUT.
Sipas tyre, marzhi i propozuar prej 4 për qind është i papranueshëm se ky marzh nuk mjafton as për shpenzimet e importuesve dhe do të krijonte mungesë të importit të tyre me pasoja të rënda për pacientët të cilëve u duhen këto barna të rëndësishme.
Shoqata e distributorëve farmaceutikë ka kërkuar që në përgatitjen e listës së rimbursimit 2011 të rishihet kursi i këmbimit të euros me lekun, pasi me kursin me të cilin është përgatitur kjo listë, importuesit farmaceutikë kanë humbje 3 për qind.
Top Channel