Raporti i DASH: Korrupsioni i lartë, media nën presion

08/04/2011 23:00

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut në 194 vende të botës. Raporti jep një vështrim të përgjithshëm në secilin vend gjatë vitit 2010. (UPDATE)

Dokumenti për Shqipërinë, prej 25 fletësh, përmend zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2009, të cilat, sipas OSBE-së shënuan progres krahasuar me të mëparshmet, por nuk arritën plotësisht standartet e saj.  

Ndërsa Partia Socialiste votoi për certifikimin e zgjedhjeve si të ligjshme dhe përfundimtare, shkruan raporti, ky subjekt politik nisi të bojkotojë parlamentin në shtator të vitit 2009, duke kërkuar hetim për vjedhjen e supozuar të votës, një bojkot që vazhdonte ende deri kur u hartua raporti.

Sa i takon financimit të partive, dokumenti thotë se ky mbetet kryesisht i errët. Korrupsioni dhe mosndëshkueshmëria vazhdon. Korrupsioni i qeverise, nënvizon raporti, mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur.

Masa të gjëra imuniteti për gjykatësit, deputetët, apo zyrtarët e lartë pengojnë ndjekjen penalisht për korrupsionin në nivele të larta. Fenomeni është i përhapur kudo. Në dokument përmendet edhe rasti i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pas shpërthimit në depon e municioneve në Gërdec në vitin 2008.

Prokurorja e Përgjithshme, shkruhet në raport, nuk bëri kërkesë tjetër për të hequr imunitetin e tij. Në 2009 Gjyktata e Lartë vendosi se Mediu ka imunitet nga rizgjedhja në vitin 2009.

Diskriminimi ndaj grave, fëmijëve, homoseksualëve është problem.  Po kështu mbetet edhe trafikimi i personave. Sa i takon romëve përmendet miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit nga 2010-2015, me një buxhet prej 2.5 miliardë lekë.

Minoriteti grek, vazhdon të ankohet sa i takon zonave elektorale, mësimit të gjuhës greke, të drejtës së pronës dhe dokumenteve qeveritare. Udhëheqësit e minoriteti flasin për mungesën e vullnetit nga ana e qeverisë për të njohur qytete etnike greke jashtë zonave të minoritetit të epokës komuniste, për të përdorur greqishten në dokumentet zyrtare dhe simbolet publike, për të përcaktuar madhësinë e popullsisë greke apo për të përfshirë një numër më të madh grekësh etnikë në administratën publike.

Raporti përmend edhe kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano i cili u shpall fajtor për abuzim me detyrën, por cështja u kthye në Gjykatën e Apelit në qershor 2009. Gjykata e dënoi për shkatërrim të pronës shtetërore pasi urdhëroi heqjen e disa simboleve të reja në rrugët e Himarës, të shkruara në shqip dhe anglisht, por jo në greqisht.

Sa i takon rolit të medias, raportohet se qeveria apo bizneset influencojnë dhe ushtrojnë presion ndaj medias. Kritikat e qeverisë mund te jenë të hapura apo private dhe pa kufizim, thote raporti, por janë regjistruar disa përjashtime. Disa media kanë pësuar inspektime selektive për taksat, si pasojë e pikëpamjeve të tyre.

Dy të përditshmet “Tema” dhe “Korrieri” u mbyllën në pranverë pasi u gjobiten me 20 dhe 22 milionë lekë respektivisht. Të përditshmet nënvizuan se qeveria vendosi gjoba ndaj tyre si pasojë e mungesës së dokumentacionit duke treguar se ata kanë shkatërruar kopje të pashitura.

Tema apeloi për gjobën dhe cështja vazhdon ende. Në tetor, pas një  riorganizimi, Tema rinisi botimin.

Duke mbetur te media, raporti shkruan se ajo është aktive dhe kryesisht e pakufizuar, por gjithësesi ka raste direkte dhe indirekte të presionit ndaj saj, përfshirë këtu edhe kërcënimet kundër gazetarëve.

Dokumenti përmend rolin e Top Channel, përmes emisionit investigativ, “Fiks Fare”, që  coi në shkarkimin dhe në celjen e cështjeve penale kundër zyrtarëve të korruptuar. Raporti ndalet te shkarkimi i ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango i cili akuzohet për abuzim seksual. Më 18 qershor Gjykata e Tiranës dëgjoi padinë e  Pangos dhe vendosi, shkruan raporti, të gjobisë Top Channelin me 51 milionë lekë apo 500 mijë dollarë, për dëmtimin e figurës morale të ish-ministrit duke i shkaktuar atij ankth dhe pikëllim. Top Channel apeloi vendimin dhe cështja ka mbetur ende pezull.

Raporti përmend edhe cështjen e qerasë të televizionit Top Channel, shtyrjen e vendimit të vitit 2006 të Këshillit të Ministrave për të prishur qeranë 20 vjecare për këtë televizion privat, kritik ndaj qeverisë, shkruan raporti, dhe i kërkoi të boshatisë ndërtesën në pronë të shtetit, ku ishte vendosur.

Qeveria pranoi të lejonte Top Channel-in të lëvizte në një tjetër pronë shtetërore. Pavarësisht këtij urdhri, Top Channel tha se banorët në pronën e re nuk e lejonin atë të zhvendosej, të kryente detyrën dhe te zhvillonte funksionet.

Kushtetuta, thotë raporti i Departamentit të Shtetit, flet për një gjyqësor të pavarur por trysnia politike, kanosjet, korrupsioni i përhapur dhe mjetet e kufizuara disa herë e kanë penguar gjyqësorin të funksionojë si i pavarur.

Në raport nënvizohet se policia godet dhe keqtrajton të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje apo burgosjes.

Top Channel