PD-PS, replika në Parlament

07/04/2011 16:55

Vullneti për të bërë zgjedhje, apo për t’i prishuar ato, ishte pjesë e debatit në seancën plenare të Kuvendit.

Deputeti Damian Gjiknuri kujtoi seminarin e Ministrisë së Integrimit me Komisionin Europian, apo tryzën e partive politike. Ai vuri në dyshim sinqeritetin e mazhorancës për ta ftuar edhe opozitën në këto aktivitete.

“Ftesa, më shumë sesa përgjerim i Berishës për zgjidhje të situatës, ishte një manovër e castit në prag të vizitave të diplomatëve nga Uashigntoni dhe Brukseli. Ai donte t’u tregonte atyre se vetë po përpiqej, por se nuk donte opozita”, tha Gjiknuri.

Zoti Gjiknuri tha se në tryzë mazhoranca solli një projektmarrëveshje deklarative, ndërkohë që opozita kishte vullnet për të diskutuar për problemet esenciale të zgjedhjeve.

“Në këtë marrëveshje kishte deklaruar se partitë do respektojnë vendimet e KQZ-së dhe asnjë deklaratë për ‘ristanokracinë’ që ka pushtuar KQZ-në”, theksoi Gjiknuri.

Por deputeti demokrat Osman Metalla, që e mori fjalën në vijim, akuzoi opozitën se nuk ka vullnet për të pasur zgjedhje të mira.

“Opozita nuk tregoi as më të voglin vullnet për reformën zgjedhore, por u përpoq të pengonte punën e KQZ. Mendjet e mbrapshta kanë filluar të pengojnë qytetarët të votojnë”, u shpreh Metalla.

Në fund, Kuvendi miratoi rezolutën që vlerëson punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2010. Opozita nuk mori pjesë në votim, pasi ajo e akuzon KQZ-në për disa vendimmarrje në kundërshtim me ligjin.

Top Channel