Spahiu: Kontroll 150 gjyqtarëve

06/04/2011 20:05

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë do të kontrollojnë shpenzimet e 150 gjyqtarëve dhe hyrje-daljet e tyre jashtë shtetit.

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka lëshuar kritika të ashpra ndaj sistemit gjyqësor lidhur me etikën, profesionalizmin dhe papërgjegjshmërinë e gjyqtarëve, duke iu referuar edhe vendimeve të arrestit me burg.

“Së pari do kërkoj verifikimin e masave të zbatimit të arrestit të shtëpisë, pasi kanë humbur funksionin dhe zbatueshmërinë dhe trajtohen në mënyrë të paprecedent si dhënie lirie. Së dyti, do t’i kërkoj KLD-së të fusë në rendin e ditës cështjen e hyrje-daljeve në kundërshtim me ligjin të 150 gjyqtarëve”, ka deklaruar Spahiu.

Spahiu ka theksuar se solemniteti i gjykimit krijon siguri për një gjykim të drejtë, të barabartë, të paanshëm dhe mbi të gjitha kthen besueshmërinë tek qytetarët.

Ndërkohë që ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka fajësuar politikën për këtë gjendje.

“Politika, e cila është mësuar të jetë njëshi në sistemin e kaluar dhe që mundohet ta mbajë gjallë këtë dominim pavarësisht se jemi në një sistem tjetër. Drejtësia është themel i demokracisë, pa të s’mund të ketë demokraci të vërtetë. Ne jemi në një demokraci fëminore, pra ende s’jemi rritur”, ka deklaruar Moisiu.

Standartet, etika e gjykimit, roli në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmëria e gjyqtarëve ka qenë fokusi i kësaj tryeze të mbështetur nga amabasada amerikane në Tiranë.

Top Channel