Siri, reforma me karakter islamik

06/04/2011 16:10

Autoritetet siriane lajmëruan sot për mbylljen e kazinosë së vetme në vend dhe për heqjen e një ligji që pengon mësueset që të mbajnë perçe, në atë që është një lëvizje për të fituar simpatinë e muslimanëve konservatorë, në një vend të përçarë prej më shumë se dy javësh nga protesta të përgjithshme.

Ndërkohë, aktivistët sirianë kanë bërë thirrje për demonstrime masive sot, nesër dhe të premten, për të nderuar kujtimin e më shumë se 80 personave, të vrarë në manifestimet e deritanishme.

Vendimi i Sirisë për t’u bërë lëshime muslimanëve fanatike është i rrallë, pasi shteti është përpjekur të kufizojë ndjeshëm rolin e fesë në jetën e vendit.

Megjithatë, protestat e fundit kanë sjellë në vëmendje edhe tensionet ndërfetare, me një grupim të muslimanëve shiit, gjithsej 11% e popullësisë, që dominojnë jetën politike në një vend me shumicë dërrmuese sunitësh.

Presidenti Assad udhëheq Sirinë që prej 11 vitesh, që kur morri në dorë pushtetin e babait të tij, i cili udhëhoqi për më shumë se tre dekada vendin, deri në vdekje.

Top Channel