Kongresmeni: Do bind Gaddafin

06/04/2011 12:35

Përpjekja më e fundit për ta bërë Muamar Gaddafin të largohet e për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Libi, vjen nga një ish kongresmen amerikan që ka vendosur të takojë personalisht liderin libian.

Republikani Curt Ëeldon shpreson ta bindë kolonelin se duhet të heqë dorë nga pushteti për të mirën e të gjithëve.

“E kam takuar aq herë sa të kuptoj se vetëm me bombardime nuk e detyron dot të japë dorëheqjen”, shkruante Ëeldon në një letër të publikuar nga Neë York Times.

Libia vazhdon të mbetet në vendnumëro, ndërsa luftimet mes forcave qeveritare dhe kundërshtarëve të Gaddafit nuk shënojnë kthesa të rëndësishme të situatës në terren.

Liderët rebelë së fundi kanë kritikuar NATO-n dhe misionin e saj për mbrojtjen e civilëve, që sipas tyre nuk po funksionon për banorët e Misratës së rrethuar prej javesh e të bombarduar sistematikisht.

“Më vjen shumë keq ta them, por Aleanca na ka zhgënjyer”, deklaroi zyrtari më i lartë ushtarak i opozitës, gjenerali Abdul Fatah Younis.

“Civilë po vriten çdo ditë, përfshirë fëmijë, gra e të moshuar. Nëse NATO do presë edhe një javë tjetër, Misrata do rrënohet krejtësisht. Në atë qytet nuk do të mbetet me këmbë njeriu. Nuk e di çfarë presin, t’i shohin të gjithë të vdekur apo çfarë”, theksoi ai.

Një ditë më parë, kryengritësit u detyruan sërish të tërhiqen përballë besnikëve të qeverisë në betejën për kontrollin e qytetit të rëndësishëm të naftës në Brega, pavarësisht sulmit ajror të NATO-s kundër një autokolone të ushtarëve libianë.

Kontrolli i rafinerive të Bregas do t’u jepte rebelëve mbështetjen e nevojshme ekonomike për të vazhduar luftën kundër Gaddafit.

Në portin e Tobrukut, një anije-çisternë mbërriti të martën për të marrë ngarkesën e parë të naftës së eksporuar nga rajoni i kontrolluar prej kryengritësve.

Që nga fillimi i revoltës kundër kolonel Gaddafit, eksportet e naftës nga Libia janë bllokuar, çka ndikoi në rritjen e çmimit të saj, që mbërriti nivelin më të lartë prej gati tre vjetësh.

Top Channel