Konfiskim pronave të Prudentinos

06/04/2011 16:15

Bazuar në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë këtë të mërkurë kërkesën për sekuestrimin e pasurive të tre shtetasve italianë dhe tre shqiptarëve, mes të cilëve është edhe Angelo Prudentino, djali i Albino Prudentinos.

Albino Prudentino u ekstradua në Itali në fillim të këtij viti si pjesëtar i organizatës Sacra Corona Unita.

Në kohën që prokuroria e Tiranës po heton mbi dyshimet për pastrim parash në Shqipëri nga Albino Prudentino dhe persona të tjerë të lidhur me të, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e aktiviteteve të tre shoqërive anonime, në të cilat i biri Angelo Prudentino zotëron aksione.

Referuar një dokumentacioni që Top Channel ka siguruar nga burime të Gjykatës së Krimeve të Rënda, prokurorët kërkojnë të konfiskohet aktiviteti i “Bet Plus”, “Casiono Italia” dhe “Beting System Albania”.

Sipas organit të akuzës, në shoqërinë “Bet Plus” personi nën hetim, Angelo Prudentino zotëron 90 mijë aksione me përqindje në kapital 4500 dhe kontribut në para 90 milionë.

Sipas prokurorisë, gjykata duhet të vendosë konfiskimin jo vetëm të aktivitetit të saj, por edhe kapitaleve dhe të të gjithë të drejtave të kësaj shoqërie, si dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme që ekzistojnë nën emrin e saj në Shqipëri.

Shoqëria “Bet Plus”, thotë prokuroria, është regjistruar në dhjetor 2008 me adresë pranë ambasadës amerikane, me kapital fillesetar 20 milionë lekë dhe ka objekt organizimin e lojrave të fatit dhe basteve sportive. Në këtë shoqëri kanë kapital dhe aksione edhe shtetasit Francesko Fornelli, Giuseppe Palma dhe Ventigjar Kaci.

Prokuroria kërkon gjithashtu konfiskimin e “Casino Italia”, e themeluar në fillim të viti 2010 me adresë në Vlorë. Kapitali fillestar i saj është 10 milionë lekë, në një kohë që Angelo Prudentino zotëron në të 60 për qind kontribute dhe 50 për qind pjesëmarrje.

Për kërkesën e konfiskimit të “Beting System Albania” prokurorët pretendojnë se i hetuari Ervis Gjecaj ka numër aksionesh 5 mijë dhe përqindje në kapital 5 mijë, ndersa nga hetimet del se italiani Giuseppe Palma, si person i lidhur me Angelo Prudentinon dhe Ervis Gjecajn, zotëron 3 mijë numrin e aksioneve dhe kontribut në para 60 milionë.

Në këtë shoqëri del edhe emri i një shtetasi tjetër shqiptar, Gani Baku, si person i lidhur me Angelo Prudnetinon dhe Ervis Gjecajn, i cili ka  kontribut në para 400 milionë.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e deritanishme rezulton se pasuritë e mësipërme janë krijuar pas vitit 2007 dhe ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme se këto pasuri janë krijuar pas dhe gjatë periudhës së përfshirjes së të hetuarve në veprimtari kriminale.

Top Channel