Italia rikuperon 20 trupa, operacioni vazhdon

06/04/2011 20:00

Forcat detare italiane kanë rikuperuar 20 trupa të pajetë në Detin Mesdhe, ndërsa operacioni për të shpëtuar klandestinët e mjetit të përmbysur në mëngjes vazhdon.

Siç bëjnë të ditur 48 të mbijetuarit, në mjetin që u përmbys si pasojë e detit të trazuar, 70 kilometra larg brigjeve italiane, ndodheshin 200-300 persona.

Anija ishte nisur nga porti i Zuvarës, në Libinë perëndimore, dy ditë më parë. Roja bregdetare italiane morri një mesazh “SOS” rreth orës katër të mëngjesit.

Tre mjete detare, dy avionë dhe një helikopter u nisën në zonë, por kur mbërritën mjeti ishte mbytur dhe si pasojë e dallgëve të forta, të mbijetuarit dhe të vdekurit ishin shpërndarë në një hapësirë të gjerë.

”Kemi rikuperuar 48 të mbijetuar nga deti, së bashku me 20 trupa. Operacioni është në vazhdim pavarësisht kushteve jo të mira”, deklaroi zëdhënësi i Rojes Bregdetare, Vittorio Alessandro.

Mjeti lundrues i klandestinëve, i gjatë 13 metra, u përmbys si pasojë e kushteve të këqija atmosferike, mbingarkesës dhe mungesës së përvojës nga timonieri. Shumica e personave në bord ishin nga Eritrea apo Somalia.

Top Channel