Berisha në ndihmë të Durim Hushit

05/04/2011 15:55

Kryeministri Sali Berisha është takuar me drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike në Elbasan. Takimi që zgjati vetëm 20 minuta është zhvilluar pasditen e së hënës pa praninë e mediave.

Burime të brendëshme bëjnë të ditur se gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha është shprehur se zgjedhja e ish deputetit socialist Durim Hushit si kandidat për kryetar bashkie të zgjedhjeve të 8 majit, ishte për Partinë Demoratike një detyrim.

Sipas tij, ky detyirm ka ardhur si rezultat i votës së Durim Hushit për zgjedhjen e presidentit duke shpëtuar vendin nga kriza politike.

Në këtë takim Berisha u ka kërkuar strukturave zbatim korrekt të Kodit Elektoral pasi zgjedhjet do të monitorohen nga 400 vëzhgues.

Berisha mësohet të jetë shprehur se humbja apo fitorja e Durim Hushit në këto zgjedhje, është përgjegjësi e strukturave të Partisë Demokratike.

Ai ka kërkuar gjatë gjithë kësaj kohe që strukturat dhe shtabet elektorale duhet të punojnë duke takuar apo marrë kontakt me çdo qytetarë.

Në Elbasan, Partia Demokratike ka bërë marrëveshje me LSI për të mbështetur kandidatin e saj.

Berisha në këtë takim u shpreh optimist duke premtuar që para vitit 2012, kryetari i ri Bashkisë së Tiranës dhe Elbasanit do të presin shiritin e rrugës me tunel Tiranë-Elbasan.

Në këtë takim, kreu u qeverisë nuk la pa sulmuar Edi Ramën. Madje ai e ka ironizuar atë duke u shprehur se kreu i selisë rozë ka bërë koalicion me Partinë e Punës.

Top Channel