Shqipëria, 2 vjet në NATO

04/04/2011 12:20

Plot 2 vjet më parë, me një akt presidenti Barack Obama, si kryetar i vendit ku është depozituar traktati i Atlantiku të Veriut, vuloste anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO.

Dy vjet më pas, protagonistët e kësaj dite, presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha, folën për meritat dhe detyrat që i dalin Shqipërisë nga ky anëtarësim.

Duke inspektuar trupat komando në Zallher, presidenti i Republikës, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, pranoi meritën e reformave të qeverisë.

“Statusi aktual i Shqipërisë në NATO është pasojë e reformave të thella politike e ushtarake”, deklaroi Topi.

Pa dyshim kryeministri ishte në të njëjtën linjë, por foli edhe për mbështetjen e aleateve perëndimorë, vecanërisht të Shteteve të Bashkuara Amerikës.

“Anëtarësimi në NATO ishte pa diskutim rezultat i mbështetjes së fuqishme të udhëheqësit të Aleancës dhe vendeve të tjera anëtare”, u shpreh kryeministri.

Por nga anëtarësimi rrjedhin edhe detyrime. Presidenti përmendi detyrimin e forcave politike për të bërë një fushatë qytetare.

“Të futemi në fushatën zyrtare me një sjellje qytetare, që t’i ngjajë politikës së vendeve evropiane, për t’i bërë ato zgjedhje në shërbim të qytetarit”, theksoi Topi.

Kryeministri nga ana tjetër u shpreh optimist se kjo gjë do të ndodhë. “Shqiptarët kanë bërë dhe do bëjnë zgjedhje të standarteve të NATO-s dhe standarteve më të mira”, tha Berisha.

Kohët e fundit ka qenë një gjë e rrallë që kryeministri dhe presidenti të kenë qenë në një mendje për një gjë të politikës.

Top Channel