SHBA, probleme në aviacionin civil

04/04/2011 15:40

Disa ditë pasi në një avion të “Southwest Airlines” u hap papritmas një vrimë në çati, testimet kanë treguar të paktën tre “Boeing 737-300” të tjerë me të njëjtin rrezik potencial, brenda të njëjtës linjë.

Në verifikimet e kryera nga instancat shtetërore u zbuluan se tre avionë të tjerë kishin çarje të vogla dhe rrezikonin që të pësonin të njëjtin aksident së shpejti.

Besohet se kontrolli do të shtrihet shumë shpejt edhe në linjat e tjera dhe kjo mund të provojë një “anashkalim” të standarteve të sigurisë nga e gjithë industria e aviacionit, parashikojnë ekspertët.

Kriza ekonomike e ka goditur veçanërisht rëndë sektorin e transportit dhe besohet se në tentativë për të reduktuar humbjet, kompanitë kanë reduktuar edhe kontrollet apo kostot për mirëmbajtjen e avionëve.

Ditën e premte, një avion 737-300 i “Southwest Airlines” pësoi një të çarë në trupin e tij ndërsa ishte duke fluturar në 10 mijë metra lartësi, por fatmirësisht pilotët ishin në gjendje të kryenin me sukses një ulje emergjence në një aeroport ushtarak të Arizonës.

Testime të mëtejshme do të kryhen mbi këtë lloj “Boeing”-u, pasi me 931 të tillë në qarkullim, 737-300 është një prej modeleve më të përdorur në botë.

Top Channel