SHBA, Obama: Rikandidoj në 2012-n

04/04/2011 15:05

Presidenti Amerikan, Barack Obama, lajmëroi sot për vendimin e tij për të rikandiduar për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

Skuadra elektorale e presidentit të parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së i dërgoi një video dhe një email të gjithë mbështetësve të tij, duke i informuar për këtë synim të Obamës.

Obama ka një rrjet online mbështetësish ku janë regjistruar disa milionë amerikanë dhe mendohet se fushata e tij online ishte një prej atyre që ndihmuan më shumë në fitimin e zgjedhjeve të vitit 2008.

Në emailin që iu nis mbështetësve, Obama lajmëronte se fushata e tij do të nisë të rritet pak nga pak, ndërsa “do të nisë menjëherë takimi me njerëzit pallat më pallat, për të kuptuar më mirë problemet e amerikanëve”.

Në dedikimin e tij persona, Obama theksoi: “Ndonëse jam i përqendruar në punën për të cilën ju më keni zgjedhur dhe gara elektorale nuk do të arrijë shpejtësinë e saj maksimale për edhe një vit, formulimi i bazave të fushatës do të nisë që tani”.

Duke shpjeguar synimet e tij, presidenti shtoi: “Dëshiroj një mandat të ri për të përmirësuar atë për të cilën kam nisur të punoj që prej zgjedhjes si president dhe për të çuar deri në fund projektet afatgjatë”.

Analistët parashikojnë që Obama të grumbullojë për fushatën e rizgjedhjes së tij deri në një miliard dollarë, që do të përbëjë një rritje në krahasim me 750 milion dollarët e 2008-s.

Në sondazhet e kryera në muajin mars, 47% e të anketuarve u shprehën se do të votonin për rizgjedhjen e Obamës, ndërsa 37% janë të vendosur të votojnë kundër, pavarësisht kandidatit republikan.

Top Channel