Plani për largimin e Gaddafit

04/04/2011 12:45

Dy nga djemtë e Muamar Gedafit kanë ofruar një plan për largimin e tij nga pushteti, duke i hapur rrugën tranzicionit në një demokraci kushtetuese nën drejtimin e Saif al Islam Gedafit.

Nju Jork Times citon një zyrtar libian të rrëfejë ekzistencën e këtij plani, që në thelb, përbën një dritare të re në dinamikën e ngjarjeve në Tripoli dhe në vetë familjen e diktatorit të mbështetur fort tek 7 djemtë e tij.

Rebelët që po sfidojnë regjimin libjan, si dhe fuqitë perëndimore – mbështëse të tyre, insistojnë në një ndryshim radikal të sundimit të 40 vjeçar të Gedafit.

Pas dezertimit të njerit prej njerëzve të tij më të besuar, ish ministrit të Jashtëm Moussa Koussa, lideri i izoluar prej dekadash, i ka varur shpresat tek të bijtë, si ndihmësit dhe komandat ushtarake më të besuar që ka.

Nuk dihet me siguri nëse 68 vjeçari e ka firmosur propozimin e Saif dhe Saadi el Gedafit, ndonëse burime pranë këtyre të fundit pretendojnë se Gedafi e ka dhënë ok-ejin për këtë hap.

Ideja në vetvete prek edhe dallimet që duket se kanë ekzistuar prej kohësh mes djemve të kolonelit.

Iniciatorët e planit, Saifi dhe Saadi, janë prirur gjithmonë drejt një hapjeje ekonomiko-politike të stilit perëndimor.

Ndërsa Khamis dhe Mutuassim konsiderohen ndjekësit e linjës së ashpër. I pari drejton një milici të frikshme, të fokusuar tek shtypja me dhunë e trazirave të brendëshme. I dyti, këshilltar për sigurinë kombëtare, ka dhe ai milicinë e vet dhe është parë prej kohësh si rival i Saifit për fronin e të atit.

Propozimi cilësohet si shenja më e fundit e faktit që qeveria e Gedafit ka filluar të ndjejë peshën e sulmeve ajrore të aleatëve, që e kanë zvogëluar ndjeshëm avantazhin e forcave qeveritare ndaj rebelëve.

Luftimet në terren u përshkallëzuan të dielën përreth qytetit strategjik të Bregas së pasur me naftë, ku asnjë nga palët nuk tërhiqet.

Një anije humanitare turke ka ndihmuar sakaq 250 të plagosur t’i largohen qytetit të tretë më të madh të vendit, misrata, nën rrethim prej javësh tashmë, duke i dërguar ata në fortesën e kryengritësve, Benghazi.

Anija e kthyer në spital të lëvizshëm, me mjekë e ilaçe në bord, ishte nisur drejt Libisë me urdhër të ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.

Top Channel