Jemen, plumba protestuesve, 12 viktima

04/04/2011 15:10

Të paktën 12 persona janë vrarë në protestat anti-qeveritare në qytetin jemenas të Taizit, ndërsa trupat ushtarake hapën zjarr ndaj demonstruesve.

Të paktën 30 njerëz të tjerë raportohen të jenë në gjendje kritike për jetën në spitale, prandaj pritet që bilanci i tragjedisë të rritet.

Mediat ndërkombëtare lajmëruan më parë gjatë ditës se një protestues ishte qëlluar me snajper në qytetin e katërt më të madh të vendit gjatë mëngjesit, në Hudaida, në brigjet e Detit të Kuq.

Lëvizjet anti-qeveritare kanë disa muaj që kanë nisur dhe me qindra mijëra jemenas kërkojnë largimin e presidentit Ali Abdullah Saleh, pas 32 vitesh në pushtet.

Ndonëse ai ka ofruar më parë një largim gradual nga skena politike deri në vitin 2012, Saleh deklaroi përpara mbështësve të tij në fundjavë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Top Channel