
Interi nuk ka kohë për t’u dëshpëruar pas humbjes në derbi, pasi nesër do të mbërrijë ndeshja përcaktuese për fatet e sezonit, përballja me Schalke 04 në Champions League.
Ndonëse diferencat midis kampionëve të Europës në fuqi dhe gjermanëve janë të mëdha, trajneri i Interit, Leonardo deklaroi në konferencën e sotme për shtyp se besimi i lojtarëve të tij nuk do të jetë aspak i tronditur kur të diskutojnë nesër “San Siro” një biletë midis katër më të mirëve të kontinentit.
”Jemi ende në garë për të fituar gjithçka. Siguritë e mia nuk janë tronditur, madje mund të them se ato janë edhe më të forta se më parë. Përballë Schalke-s do të mbërrijë përgjitja e duhur”, deklaroi braziliani.
”Është normale që pas humbjes në një derbi të ketë trishtim, por tani kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme dhe kjo skuadër ka ditur të reagojë gjithmonë mirë pas një humbje. Do të ndodhë kështu edhe këtë herë”.
Duke u ndalur tek derbi, Leonardo u përpoq të nxirrte disa pjesë pozitive në humbjen e pësuar. “Nëse një ndeshje zhvillohet në një mënyrë të caktuar, ka shumë arsye që kjo ndodh. Një humbje 3-0 nuk vjen për një motiv të vetëm, por për shumë.
Është e qartë që duhet të analizojmë atë që ndodhi, por dua të ndalem edhe në disa aspekte pozitive, pasi në pjesën e parë bëmë disa gjëra të mira dhe vumë vazhdimisht në vështirësi Milanin. Pas daljes së Chivu-s, ishte e parashikueshme që do të vuanim shumë”.
Leo komentoi edhe trajtimin “e veçantë” që iu rezervua nga ana e tifozëve milanistë. “Ndihem i privilegjuar që mund të përjetoj një situatë të tillë. Vetëm unë që kam jetuar shumë me futbollin mund t’a kuptoj, por garancitë e mia s’janë prekur. Sharjet e Gattuso-s? Nuk pashë asgjë dhe nuk u shkëmbyem në tunel”.
Ironikisht, në fund u fol për kundërshtarin e nesërm. “Me teknologjinë e sotme, të gjithë dimë gjithçka për çdo skuadër. Schalke ka luajtur në Europë kundër kundërshtarëve seriozë, por mbërriti deri këtu.
Kanë mundur të gjejnë gjithmonë ekuilibrin e duhur për të luajtur shumë mrië në Europë dhe tek Raul kanë një futbollist me një histori të jashtëzakonshme. Duhet të luajmë me kujdes, nuk janë rastësisht në çerekfinale”.
Top Channel