Guantanamo, rinisin gjyqet ushtarake

04/04/2011 22:40

Kaled Sheik Mohamed, i cilesuar si strategu i sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara  dhe katër bashkëpunëtoret e tij do të gjykohen nga një komision  ushtarak në Guantanamo dhe jo nga një gjykatë civile.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder shpjegoi se gjyqi kundër tyre nuk mund teë zgjatej më tej. Ai mbrojti vendimin e  mëparshëm për të zhvilluar proceset në gjykatat federale, duke fajësuar Kongresin për anulimin.  

Holder tha; “Duart e mia janë të lidhura nga kufizime aspak inteligjente dhe të ngushta që iu vendosen administratës”. Sipas tij, Departamenti i Drejtësisë ka qenë i përgatitur për një proces të fortë kundër Mohamed dhe katër bashkëpunëtorëve të tij. Sa i takon dënimit me vdekje, tha ai se do të shihet në këtë rast.

Kalid Sheik Muhamed mbahet nga SHBA, që prej vitit 2003, kur u kap në Pakistan. Gjatë seancës së vitit 2007, ai tha se ishte torturuar në burgun e Guantanamos.

Dokumentet e CIA-s konfirmuan se ai i ishte nënshtruar teknikës së “mbytjes me ujë” 183 herë.

Kur Presidenti Obama mori detyrën ai premtoi se do të mbyllte burgun e Guantanamos brenda një viti. Disa muaj më vonë, Prokurori i Përgjithshëm, Erik Holder tha se Kaled Sheik Mohamed do të gjykohet në Nju Jork. Por planet u rrëzuan pas kritikave në vend.

Guantanamo vazhdon të jetë i hapur dhe atje do të rinisin gjyqet ushtarake. I pyetur nga gazetarët, zëdhenësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se shqetësimi kryesor i Presidentit është që autorët e krimit të dalin përpara drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kundërshtia e Kongresit për planet e Presidentit nuk mund të tejkalohej”, tha Carney.

Top Channel