Frashëri: Greqia synon të marrë jugun

04/04/2011 22:00

Profesori Kristo Frashëri ka deklaruar se Greqia vazhdon të ketë pretendime territoriale në Shqipëri dhe për këtë arsye po përpiqet të imponojë regjistrimin mbi baza fetare dhe etnike.

“Ata duan Sarandën e Himarën, duan të krijojnë një numërim të madh dhe t’i thonë OKB-së na lejoni autonominë e Shqipërisë së jugut, sepse ka shumicë greke”, ka pohuar Frashëri.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, historiani i njohur ka nënvizuar se regjistrimi i popullsisë nuk duhet të bëhet mbi baza fetare dhe etnike.

“Shqipëria është një shtet me banorët e saj dhe nëse regjistrimi bëhet ndryshe, atëherë del si tokë greke. Dhe Greqia do që ne ta bëjmë, që qytetarët të thonë se janë grekë. Bindja fetare me atë politike janë njësoj. Në Greqi i respektojnë rregullat, ndërsa këtu ata nuk duan”, ka nënvizuar Frashëri.

Sipas tij, Greqia keqinformon botën me deklaratat e saj mbi Vorio Epirin dhe pretendon për minoritetet e saj në zona të gabuara të Shqipërisë.

“Greqia e ka deformuar historinë për Epirin. Në mesjetë Epiri s’ka pasur grekë. Ndërsa Camërinë nuk e zënë në gojë, i thonë Dhespoti. Dhespotia deri vonë ishte shqiptare. Edhe sot në Camëri ka shqiptarë, shqiptarë të krishterë, prandaj janë aty dhe nuk guxojnë të flasin shqip pasi kanë frikë nga greku”, ka nënvizuar Frashëri.

Ai ka shtuar më tej se minoriteti grek nuk ndodhet në Sarandë, Himarë, Gjirokastër apo Korcë, ku pretendon pala greke, por në zona të tjera, si në Dropull.

Top Channel