“Polici” afgan vret dy ushtarë të NATO-s

04/04/2011 15:55

Dy ushtarë të NATO-s mbetën të vrarë pasi një njeri i veshur me uniformën e një polici afgan qëlloi ndaj tyre në provincën e Farjabit, në Afganistan.

NATO është duke hetuar ngjarjen, por konfirmoi se vrasësi është larguar me shpejtësi pas krimit.

Dëshmi të tjera thonë se në fakt u qëllua nga një shtëpi aty pranë dhe polici vetëm sa iku me shpejtësi me një armë në dorë, prandaj ai është ngatërruar si vrasësi nga dëshmitarë të tjerë.

NATO do të nisë t’i transferojë pushtetin forcave afgane në korrik, ndërsa tërheqja e plotë do të ndodhë në vitin 2014.

Një sulm i tillë rrit edhe më shumë dyshimet nësa trupat afgane do të jenë në gjendje të përballojnë të vetme luftën me terrorizmin dhe fondemantalizmin në rritje.

Indoktrinimi i forcave policore është një taktikë e preferuar e elementëve të Al-Kaedës, të cilat bindën një polic të vriste gjashtë ushtarë të NATO-s në nëntor, në sulmin më të përgjakshëm të zhvilluar nëpërmjet kamuflimit deri tani.

Situata është turbulluar së fundmi, pas protestave që kanë shpërthyer në të gjithë vendin pas djegjes së Kuranit nga një prift amerikan. Mbi 20 persona, përfshi 7 punonjës të OKB-së, u vranë javën e shkuar në këto protesta.

Top Channel