Sulm me raketa në Ukrainë, të paktën 15 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Kievi përgjigjet duke shkatërruar një nga objektet më të rëndësishme ushtarake ruse
Protestat kundër djegies së Kuranit në Afganistan janë zgjeruar edhe më shumë.
Qindra protestues marshuan në rrugët e Kandaharit dhe Xhalalabadit në shenjë proteste ndaj gjestit të priftit protestant amerikan.
Zhvillimet e reja vijnë pas vrasjes së 14 personave, 7 nga të cilët punonjës të OKB-së, që tronditi opinionin publik. Presidenti amerikan Barak Obama, i përshkroi vrasjet si mizore, ndërsa djegien e librit të shenjtë musliman si intolerancë dhe fanatizëm.
10 persona vdiqën të shtunën pas demonstratave të dhunshme në Kandahar. Me dhjetra të tjerë mbetën të plagosur. Turma kërkonte largimin e ushtarëve amerikanë nga Afganistani dhe sipas korrespondentit të Associated Press, të pranishëm në vendngjarje, njerëzit dogjën edhe një kukull që i shëmbëllente presidentit Obama.
Vrasjet e së premtes shkaktuan indinjatë dhe u dënuan ashpër nga zyrtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon, por diplomati më i lartë i OKB-se në Afganistan, Stefan de Mistura, pretendon se faji për episodet e dhunës në Mazar-e-Sharif, duhet kërkuar tek prifti që dogji Kuranin në 20 mars, dhe jo tek afganët.
“Liria e fjalës nuk do të thotë patjetër liri për të fyer kulturën, fenë e traditat e të tjerëve”, është shprehur ai.
Mes të vrarëve ishin tre civilë, një suedez, një norvegjez dhe një rumun, si dhe katër roje nepaleze të punësuar për mbrojtjen e kompleksit. Në radhët e viktimave nuk kishte asnjë punonjës afgan.
Të dhënat për momentin, sipas zyrtarëve të OKB-së, tregojnë se protestuesit synonin të godisnin objektiva ndërkombëtare. OKB-ja vendosi të evakuonte përkohësisht personelin e saj në Mazar-e-Sharif, ndërkohë që po rishikohen masat e sigurimit.
Top Channel