Jemen, Saleh: Nuk do të dorëhiqem

02/04/2011 14:10

Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, falenderoi disa mijëra mbështetës të organizuar në një manifestim përkrahës pranë pallatit presidencial, ndërsa deklaroi përpara tyre se nuk i shkon ndërmend të japë dorëheqjen.

Disa javë protestash të përgjakshme në Jemen e kanë çuar regjimin në buzë të greminës, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite fqinje janë të shqetësuara se kush mund të pasojë në pushtet aleatin e tyre, Saleh.

Një ditë më parë, disa mijëra njerëz mbështetës të regjimit dhe kundërshtarë të tij u bashkuan në rrugët e kryeqytetit Sana’a, por asnjë përparim nuk u arrit në negocime për zgjidhjen e kësaj krize të thellë politike.

”Ju përshëndes për qëndresën heroike që keni bërë dhe ju falenderoj për mbështetjen e rendit kushtetures”, deklaroi Saleh sot përpara manifestuesve të entuziasmuar, të cilët mbanin në duart e tyre portretet e tij.

Saleh ka ofruar më parë largimin e tij gradual deri në 2012-n, por opozita kërkon prej tij dorëheqje të menjëhershme.

Ndërkohë, disa mijëra persona vazhdojnë të kalojnë natën në sheshet kryesore të qyteve si Sana, Taizi apo Adeni, në shenjë proteste ndaj regjimit të Saleh-ut.

Jemeni, vendi më i varfër i botës arabe, përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe politike, me rritjen e aktivitetit të Al-Kaedës dhe me një lëvizje separatiste në disa krahina veriore.

Top Channel