Siri, protesta e viktima të reja

01/04/2011 20:00

Protesta të reja anti-qeveritare kanë ndodhur sot në disa qytetet kryesore siriane pas mbajtjes së lutjeve të ditës së premte, pavarësisht se rrugët ishin “blinduar” nga forca të shumta policie.

Dëshmitarë thanë për rrjetet ndërkombëtare të lajmeve se disa mijëra njerëz dolën në rrugë duke thirrur “liri”, ndërsa Agjensia Siriane e Lajmeve e trajtoi këtë ngjarje si një manifestim paqësor që kërkon përshpejtimin e reformave të premtuara.

Besohet se të paktën katër persona mbetën të vrarë, pasi policia hapi zjarr ndaj demonstruesve në periferinë e kryeqytetit Damask dhe në qytetin jugor të Derës.

Aktivistët e kishin quajtur këtë të premte si “Dita e Martirëve”, për të nderuar njerëzit e vrarë gjatë këtyre dy javëve të protestave.

Më parë gjatë javës, presidenti Bashar al-Assad i konsideroi protestat si pjesë e një “komploti” të huaj, ndërsa nuk hoqi gjendjen e jashtëzakonshme që mbetet në fuqi që prej vitit 1963.

Njeriu që drejton prej 11 vitesh vendin me 22 milion banorë u mjaftua të lajmëronte ngritjen e një paneli ekspertësh që do të studiojnë reformat ekonomike dhe ndryshimet ligjore.

Top Channel