Rrëzohet padia ndaj Rusisë për spastrim etnik

01/04/2011 16:15

Gjykata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë sot një çështje të prezantuar nga Gjeorgjia, e cila akuzon Rusinë dhe rebelët separatistë për spastrim etnik.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e vendosur në Hagë, deklaroi se nuk do të egzaminojë padinë e Tbilisit zyrtar, pasi ky institucion do të kishte juridiksion për këtë çështje vetëm nëse autoritetet e vendit do të kishin kërkuar të bisedonin më parë me Moskën, diçka që nuk ka ndodhur.

Sipas Gjeorgjisë, ushtria ruse dhe rebelët e mbështetur prej saj kryen akte të spastrimit etnik në krahinat e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut, në luftën e shkurtër midis dy vendeve në gusht 2008.

Disa mijëra gjeorgjianë braktisën dy krahinat e populluara nga rusë gjatë konfliktit, ndërsa shumë prej tyre nuk janë rikthyer, duke mbetur të zhvendosur brenda Gjeorgjisë.

Në vitin 2008, vendet perëndimore dënuan Rusinë për depërtimin e thellë në Gjeorgji, përtej krahinave konfliktuale.

Moska tërhoqi më pas forcat e saj nga Abkazia dhe Osetia e Jugut në 2009-n, ndërsa një raport europian i ka fajësuar të dy vendet për dhunimin e ligjit ndërkombëtar.

Top Channel