Ofensivë e Gaddafi-t, rebelët ofrojnë armëpushim

01/04/2011 21:05

Forcat e kolonelit Muammar Gaddafi lëshuan një ofensivë të fuqishme ndaj Misratës, qytetit të vetëm perëndimor të kontrolluar prej rebelëve, ndërsa kryengritësit bënë një ofertë për armëpushim më pare gjatë ditës.

Duke folur nga kryeqyteti “de facto” i rebelevë, në Bengazi, një zëdhënës deklaroi se ata janë të gatshëm të firmosin një armëpushim me kolonelin, nëse sulmi mbi Misratën dhe zonat e tjera lindore do të ndërpritet.

Nuk është e qartë nëse kjo ofertë ka pas edhe këshillimin e forcave perëndimore, ndërsa po bëhet gjithmonë e më e qartë se pavarësisht bombardimit të forcave të NATO-s, rebelët janë shumë të pafuqishëm dhe të paaftë për të fituar luftën në terren.

”Forcat qeveritare janë duke përdorur tanqe, artileri të rëndë, mortaja, antiajrorë dhe snajpera për të marrë qytetin e Misratës, ndërsa bombardimi vazhdon në mënyrë intensive”, përshkroi një zëdhënës gjendjen e kryengritësve.

”Misrata nuk mund të njihet më si ka qenë. Shkatërrimi në këtë zonë është i pabesueshëm, i ngjashëm me dokumentarë që të gjithë kanë parë për shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore”.

Asnjë korrespondent i mediave ndërkombëtare nuk është mundur gjatë këtyre ditëve të depërtojë në zonën e luftimeve në Misrata, prandaj këto thënie nuk mund të verifikohen.

Një doktor nga Misrata tha për “Reuters” se përditë mbërrijnë në spital kufoma të “panumërta”, ndërsa besohet se brigata e 32-të, një repart elitë i ushtrisë libiane, po përgatitet të marrë me forcë qytetin.

Bombardimet e vazhdueshme të NATO-s shkatërruan flotën ajrore të Gaddafi-t, disa depo armatimesh dhe pozicione të ndryshme të ushtrisë qeveritare, por nuk mund të bëjë më shumë në betejat brenda qyteteve, ku është jo vetëm e pamundur të ndash palët, por edhe pothuajse e sigurt shkaktimi i viktimave civile nga bombardimet.

NATO vazhdon të këmbëngulë se nuk do të pushtojë me trupa tokësore vendin, ndonëse raporte të CNN flasin se kanë marrë informacione nga “burime të sigurta” që CIA po përgatit një mision të madh në vendin afrikan.

Mbetet e paqartë se si do të reagojë komuniteti ndërkombëtar, nëse një armëpushim eventual arrihet dhe vendi mbetet virtualisht i ndarë në dy zona.

Top Channel