Gjermani, firma bërthamore padit shtetin

01/04/2011 15:40

Kompania gjermane e energjisë nukleare, “RWE”, bëri të ditur se do të nisë një proces gjyqësor ndaj shtetit, pasi u urdhëruan në mënyrë arbitrare që të pezullojnë të gjithë aktivitetin për të paktën tre muaj.

Urdhëri i Berlinit erdhi nga frika që shkaktoi në opinionin publik rreziku bërthamor, pas krizës që përfshiu Japoninë.

”RWE” theksoi se reaktorët e saj përmbushin të gjithë normat e energjisë së kërkuar prej shtetit gjerman, prandaj landi i Heses nuk kishte asnjë të drejtë ligjore që të dëmtonte biznesin duke kërkuar mbylljen.

Reaktori i ndodhur në lokalitetin e Biblisit u mbyll si pjesë e një moratoriumi të nxjerrë nga Kancelarja Angela Merkel, e cila pezulloi punën në shtatë reaktorët më të vjetër në Gjermani, për të kryer teste të mëtejshme rreth sigurisë së tyre.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka miratuar ndjekjen e “testeve të stresit” në të gjithë reaktorët bërthamorë të Europës së bashkuar.

Top Channel