Afganistan, vriten 8 punonjës të OKB-së

01/04/2011 19:50

Të paktën tetë punonjës të OKB-së dhe tre afganë mbetën të vrarë, kur një degë e kësaj organizate u sulmua në qytetin e Mazar-e Sharifit, në Afganistan.

Dhuna shpërtheu gjatë një proteste të realizuar për djegien e disa kuranëve në një kishë amerikane më parë gjatë muajit.

Dëshmitarët thanë për rrjetet ndërkombëtare se protesta ishte paqësore, deri kur papritur nisën të dëgjoheshin të shtëna dhe shpërthime.

Një zyrtar i policisë bëri të ditur se qetësia në qytet është rivendosur, ndërsa një numër njerëzish janë arrestuar.

OKB konfirmoi se punonjës të saj janë vrarë, por nuk është në gjendje të konfirmojë numrin e saktë, pasi “raportimet janë ende të turbullta”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon deklaroi se “ky është një akt i turpshëm dhe frikacakësh”, ndërsa presidenti Barack Obama e dënoi ngjarjen fuqimisht.

Mazar-e Sharifi është një prej qyteteve më të mëdha në Afganistan dhe gjithashtu një prej më të qetëve. Mijëra persona festuan pa incidente një javë më parë fillimin e Vitit të Ri Persian.

Top Channel