Sarkozy në Japoni: Standarte të reja bërthamore

31/03/2011 20:05

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, bëri një thirrje ndaj të gjithë shteteve përdoruese të energjisë bërthamore në botë për të rishikuar standartet e tyre të sigurisë, lajmëroi Agjensia Franceze e Lajmeve “AFP”.

Duke folur nga Japonia, përpara samitit të “G-20”, presidenti Francës theksoi se masa të tjera shtesë janë të domosdoshme të ndërmerren, ndërsa u shndërrua në liderin e parë botëror që viziton vendin e madh aziatik pas tërmetit shkatërrimtar të 11 marsit.

”Problemi nuk është zgjedhja e energjisë bërthamore, por standartet e saj të sigurisë. Edhe pse do të donim, nuk ka alternativë për energjinë nukleare për momentin”, deklaroi Sarkozy.

”Duhet të përpiqemi të gjithë së bashku të zgjidhim krizën japoneze dhe më pas të mendojmë për përforcimin e kritereve ndërkombëtare, që të mos kemi një Fukushimë të dytë.

Duhet të vendosim masa më të ashpra ndërkombëtare, pasi në të vërtetë bota është vetëm një fshat dhe ajo që ndodh në Japoni, Francë apo kudo ka ndërlikime në të gjithë planetin”.

Ndërkohë, situata në reaktorët bërthamorë në Fukushima duket se është përkeqësuar, pasi nivele rekord të radioaktivitetit u regjistuan në ujrat përreth centralit ditën e sotme.

Tërmeti i datës 11 mars dëmtoi rëndë sistemin ftohës të gjashtë reaktorëve të Fukushimës, duke shkaktuar shkrirjen e pjesshme të bërthamës së reaktorit të dytë. 11 mijë persona vdiqën nga tsunami që vijoi lëkundjet, ndërsa 16 mijë ende mungojnë dhe dyshohen të vdekur.

Top Channel