Deputeti i PS-së, Blendi Klosi ka propozuar një moratorium dhjetë vjeçarë, për të ndaluar prerjen dhe shfrytëzimin e pyjeve. Ai theksoi se nëse një vendim i tillë nuk merret tani, do të jetë shumë vonë për brezat e ardhshëm.
“Motosharrat po shkatërrojnë pyjet. Një plak i mençur ka thënë që ‘nëse sopata e gërvisht pyllin, motorsharra e shfarros atë’. Ndaj propozoj një moratorium të motosharrave për një periudhë dhjetë vjeçare dhe të pezullohen të gjitha liçencat. Është për të mirtën e të gjithë shqiptarëve që ky parlament të marrë një vendim të ndërprerjes së motosharrave. Më vonë do të jetë shumë vonë. Është e pafalshme që kur hynë në territorin e Shqipërisë duket qartë shpyllëzimi i maleve dhe kodrave. Është një situatë e patolerueshme që të gjithë duhet të skuqemi. Nëse nuk bëhet moratoriumi është e kot çdo përpjekje tjetër”, është shprehur Klosi.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është shprehur dakord me një propozim të tillë dhe u tregua e gatshme për ta votuar.
“Do isha e para për të bërë një moratorium, për të penguar çdo gjë. E shkuaj unë moratoriumin, vetëm se votojeni. Ju ftoj që ta votojmë”, tha Topalli.
Edhe ministri i Mjedisit është shprehur pro bërjes së një ligji që do të ndikonte në përmirësimin e situatës së krijuar me pyjet.
“Nëse ka një ide që vjen racionale në mbrojtje të pyjeve, unë them të ulemi të bëjmë jo thjeshtë një moratorium, por duhet ta bëjmë në mënyrë racionale. Ne duhet të marrim modelin më të mirë që të garantojë këto shqetësime të mëdha që kanë të bëjnë më shfrytëzimin e pyjeve”, theksoi Mediu.
Ndëkrohë deputeti i PS-së, Erion Braçe ka theksuar se mjafton të shikohet kronika “Një Shqipëri tjetër”, në Top Channel, për të kuptuar përmasat e katastrofës që po bëhet çdo ditë me pyjet.
“Mjafton të shikoni një kronikë të ‘Shqipërisë tjetër’ për të kuptuar se si shfarrosen pyjet. Pamjet që mund t’i shihni janë apokaliptike, janë të tmerrshme. Ajo që po ndodh në terren është jashtë ministrisë suaj dhe e gjitha bëhet pa leje. Të gjithë ata që shkatërrojnë pyjet kanë mandate politikë dhe përfitojnë për shkak të partisë së tyre. Jep leje ministri i Ekonomisë për të shkatërruar pyjet në mënyrë barbare”, theksoi Braçe.
Top Channel