Libi, jep dorëheqjen edhe “kryediplomati” Treki

31/03/2011 21:20

Pas “dezertimit” të Ministrit të Jashtëm, Moussa Koussa në Britani, më parë gjatë ditës, regjimi i Gaddafi-t morri një tjetër goditje gjatë pasdites, pasi një kryediplomat i Tripolit lajmëroi dorëheqjen e tij.

Ali Abdessalam Treki, një ish-Ministër i Jashtëm dhe funksionar në disa detyra të rëndësishme qeveritare në dekadat e fundit, ishte caktuar për të përfaqësuar Libinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, Treki, i cili aktualisht ndodhet në Kajro për takime me Ligën Arabe, deklaroi se nuk ka ndërmend të bëjë më asnjë negocim në emër të Tripolit zyrtar dhe se nuk do të shërbejë më në asnjë pozicion tjetër shtetëror nën regjimin e Gaddaffi-t.

”Nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të bëhet pre e një fati të pacaktuar. Është e drejta e kombit tonë që të jetojë në liri, demokraci dhe begati”, thuhet se deklaroi Treki, duke iu referuar deklaratës së publikuar në disa faqe interneti opozitare libiane.

Këto zhvillime të fundit, zëdhënësi i trupave rebele, Mustafa Gheriani, i komentoi: “Besojmë se regjimi po shembet nga brenda”. Megjithatë, në luftimet në terren, forcat qeveritare kanë arritur të bëjnë përparime të rëndësishme drejt lindjes në tre ditët e fundit.

Top Channel