Irlandë, përkeqësohet kriza ekonomike

31/03/2011 20:20

Bankat e Republikës së Irlandës kanë nevojë për 24 miliardë euro hua më shumë për t’i mbijetuar krizës ekonomike, u bë e ditur sot pas autidimit të bankave kryesore të vendit.

Siç bëri të ditur BBC, ky lajm përbën një goditje të rëndë për qeverinë e re irlandeze, e cila erdhi në pushtet me premtimin se do të rinegocionte huanë prej 80 miliardë eurosh të marrë më parë nga Dublini, me qëllim që të ulte borxhin e marrë.

”Allied Irish Banks”, “Bank of Ireland”, “Educational Building Society” dhe “Irish Life & Permanent” janë katër bankat që u morrën në shqyrtim. Gjendja më e rëndë paraqitet tek banka e parë, e cila ka nevojë për 13,5 miliardë euro për të shmangur falimentimin.

Gjendja për buxhetin e shtetit bëhet edhe më e rëndë duke patur parasysh se me përjashtim të “ILP”-së, në tre bankat e para një pjesë e madhe të aksioneve janë në zotërimin e shtetit, pas tentativave të mëparshme të Dublinit për të shpëtuar këto banka nga falimenti.

Bankat janë zhytur në krizë pjesërisht për shkak të moskthimit të kredive nga qytetarët, të goditur rëndë nga papunësia dhe ulja e nivelit të jetesës, pas krizës ekonomike të vitit 2008.

Top Channel