Boeing, ndihma e SHBA e paligjshme

31/03/2011 18:30

Ndihma prej 5,3 miliardë dollarësh që prodhuesi amerikan i avionëve, “Boeing”, morri prej Uashingtonit gjatë vitit të shkuar u shpall si e paligjshme prej Organizatës Botërore të Tregëtisë (WTO).

Paketa financiare përfshiu fonde që u hoqën nga projektet e Agjensisë Hapsinore “NASA”, ishte përfundimi i një paneli me gjykatës ndërkombëtarë.

Në vitin 2009, ishte kompania europiane “Airbus” ajo që u sulmua me të njëjtën akuzë nga WTO.

Të dy kompanitë më të mëdha të prodhimit të avionëve në botë kanë shkëmbyer polemika të ashpra të ndërsjellta rreth ndihmave që kanë marrë nga shteti gjatë gjashtë viteve të fundit.

Çështja e “Boeing” ishte një prej më të ndërlikuarave të marrë ndonjëherë në shqyrtim nga organi gjyqësor i WTO-së në Gjenevë, ndërsa një dokument prej 2 000 faqesh u prezantua.

”Është koha për “Boeing” që të ndalojë mohimin apo minimizimin që i bën ndihmës së paligjshme që merr”, deklaroi Rainer Ohler, përgjegjës i “Airbus” për marrëdhëniet me publikun.

”Boeing” u kundërpërgjigj duke thënë se ndihma që ka përfituar “Airbus” nga fondet shtetërore është katër herë më e lartë, deri në 20 miliardë dollarë.

Top Channel