Investimet elektorale, rriten shpenzimet

28/03/2011 15:30

Qeveria ka filluar të japë sinjalet e para për rritjen e shpenzimeve, sikurse ndodh sa herë që vendi hyn në fushate zgjedhore.

Të dhënat e fundit zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se investimet e qeverisë në projekte publike ishin për dy muajt e parë të këtij viti mbi 2 herë më të larta se ato të një viti më parë.

Sipas Ministrisë së Financave, deri në fund të shkurtit investimet publike të realizuara ishin 14.1 miliardë lekë nga 6.8 miliardë që ishte shifra vitin e kaluar.

Pjesa dërrmuese e tyre po financohen me burime të brendshme, nga të ardhurat e taksave por edhe borxhi që qeveria merr përmes bonove të thesarit në tregun vendas. Sinjalet për përqëndrim të shpenzimeve në prag të zgjedhjeve konfirmohen edhe nga një tregues tjetër.

Nëse për dy muajt e parë të vitit 2010 qeveria kishte realizuar 6.7 për qind të investimeve që kishte parashikuar për gjithë vitin, në dymujorin e parë të këtij viti shkalla e realizimit vjetor është 17.1 për qind.

Por shpenzimet për investime nuk janë zëri i vetëm me rritje të fortë. Të dhënat tregojnë se edhe zërat e tjerë të shpenzimeve buxhetore janë dukshëm më të larta se një vit më parë.

Në total shpenzimet e buxhetit deri në fund të muajit shkurt ishin 58 miliardë lekë ose 26 për qind më të larta se sa ato të vitit të kaluar.

Rritja e shpenzimeve buxhetore në fushatat elektorale është një traditë e qeverive me efekt elektoral. Por, në kushtet e një inflacioni të lartë, rritja e shpenzimeve qeveritare mund të nxisë edhe më shumë rritjen e cmimeve.

Ky shqetësim u konfirmua pak ditë më parë nga Banka e Shqipërisë, e cila rriti normën bazë të interesit dhe ku guvernatori i lëshoi një mesazh qeverisë. “Mendoj se vendimmarrja e sotme i paraprin një periudhe kujdesi e qetësie”, deklaroi Fullani.

Top Channel