Rama: Xhamia, projekt i të gjithëve

24/03/2011 23:45

Kreu i PS, Edi Rama pasi deklaroi rikandidimin e tij në zgjedhjet e lokale për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, foli edhe për projektin e ndërtimit të xhamisë së re, një vepër kjo e kërkuar prej kohësh nga komuniteti musliman.

Duke folur në Top Story, zoti Rama tha se ndërtimi i xhamisë së re është një prioritet jo vetëm për komunitetin musliman, por për gjithë shqiptarët, për t’i dhënë sipas tij pamje Tiranës moderne dhe për të mishëruar bashkëjetesën fetare të reflektuar ndër breza në vendin tonë.

“Për xhaminë e re kemi shpallur një konkurs ndërkombëtar ku janë paraqitur shumë shoqëri të huaja nga të cilat ne kemi përzgjedhur 5 prej tyre. Kemi bashkëpunuar me komunitetin musliman për këtë xhami për të mëshiruar bashkëjetesën fetare në këtë vend. Bëhet fjalë për një projekt të madh, një vepër që është e të gjithëve”, tha Rama.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, duke qenë se konfirmoi rikandidimin e tij për zgjedhjet e 8 majit, mohoi se premtimi i tij për xhaminë e re është politik apo të ketë lidhje me fushatën elektorale.

“Xhamia e re është një cështje që duhet të qendrojë jashtë debatit politik”, deklaroi Rama.

Top Channel